Arrestohet asamblisti i PDK-së, kërkohej me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata

Të gjithë zyrtarët në institucione të ndryshme që janë të detyruara sipas ligjit që të bëjnë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Jo rrallëherë ka pasur raste kur janë dënuar asamblistë, deputetë e madje edhe ministria, raporton Gazeta Sinjali.

Për mosdeklarim të pasurisë ishte dënuar edhe asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në komunën e Rahovecit, Armir Vuçitërna.

Ndaj tij, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte lëshuar urdhër arrest, në bazë të të cilit, Vuçitërna u prangos sot, në orët e mëngjesit.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se 43-vjeçari, i cili me profesion është doktor, u arrestua dhe u shoqërua sot në degën e Gjykatës në Rahovec, ku dënimi me burg i është zëvendësuar me gjobë.

Vuçitërna ka bërë pagesën e gjobës dhe më pas është liruar nga Gjykata.

Ndryshe, kushdo që kryen këtë vepër penale dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.  Teksa kushto që bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Gjakovë, lëndohen dy persona, dërgohen në spital