Arrestohet 53-vjeçari që dyshohet se bleu stolitë e arit që u vodhën në shtëpinë e shehut të Teqesë në Gjakovë

Vjedhja e 200 mijë eurove para të thata dhe një sasi e stolive të arit nga shtëpia e shehut të Teqesë së Madhe në Gjakovë, pati pushtuar mediat vendore fundin e muajit maj. Pas tri javësh hetime intensive, ishte arritur që i dyshuari, Xhevat Thaqi, të identifikohet dhe të bie në pranga. Por fokusi rikthehet sërish te kjo ngjarje, pasi së fundi është arrestuar edhe një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohet një person i cili dyshohet se ka blerë stolitë e arit që u vodhën në shtëpinë e shehut.

53-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  KFOR thotë se ka katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare