Arrestohen dy shtetas kosovarë në Mal të Zi, po kërkoheshin për krime lufte
Policia e Kosovës i ka arrestuar dy shtetas kosovarë në Mal të Zi, të cilët ishin të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nën dyshimin e veprës penale “Krime Lufte”.
Siç ka njoftuar Policia, arrestimi i tyre është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve të Kosovës dhe Malit të Zi.
Si pasojë e këtij bashkëpunimi, në datë 1 tetor Mali i Zi arrestoi shtetasin me inicialet Z.V, i cili ishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës për akuzën e “Krimeve të Lufte”.
Një arrestim tjetër është bërë më datë 4 tetor, kur autoritetet e Malit të Zi arrestuan shtetasin me inicialet I.B, i cili gjithashtu ishte i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për akuzën “Krime Lufte”.
“Lidhur me rastet personat e arrestuar i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga shteti i Malit të Zi për në Republikën e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), po vazhdon të angazhohet në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet e zbatimit të ligjit të shteteve të tjera dhe organizatat ndërkombëtare policore dhe të sigurisë.