Arrestohen dy nga katër personat që nën kërcënimin e armës tentuan të grabitin postën ‘Mik Mik’ në Obiliq

Objekti i postës së shpejtë ‘Mik Mik’ në Mazgit të Obiliqit, ditën e 23 qershorit kishte qenë cak i një grabitjeje të armatosur, e cila rezultoi pa sukses për katër të dyshuarit të cilët ikën që aty me duar në xhepa, pasi nuk arritën të marrin atë për të cilën ishin nisur, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se dy nga të dyshuarit nuk arritën që ta shijojnë lirinë edhe për shumë gjatë, pasi që pas një pune hetimore ata u arritën që të arrestohen dje rreth orës 15:00.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit janë kapur në një villë në fshatin Jezerc të Ferizajt dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje në tentativë’.

Ndërkohë Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore ka bastisur shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku është gjetur dhe konfiskuar një revole, dy karikatorë dhe fishekë. Po ashtu po vazhdojnë veprimet hetimore për të kapur edhe të dyshuarit tjerë.

Lexo edhe:  Një shtëpi kaplohet nga zjarri në Prishtinë (VIDEO)