Arrestohen 3 djemtë e familjes Halili, dyshohen për vrasjen e mitrovicasit në Suedi
Tre persona janë arrestuar në Suedi, pas vrasjes së 20-vjeçarit Elion Veseli, i cili vdiq nga një përleshje mes disa shqiptarëve të tjerë në qendër të Kristianstad, gjatë këtij muaji.
Të arrestuarit janë tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast tragjik dhe dyshimet e para lidhen me një konflikt mes familjeve të viktimës (Familja Veseli me prejardhje nga Mitrovica) dhe njërit prej të dyshuarve (Familja Halili me prejardhje nga Drenica).
Konflikti mes dy familjeve daton nga viti 2011, ndërsa për rastin ku 20 vjeçari (Elion Veseli) vdiq nga plagët e rënda të pësuara nga sulmi me thikë, ishin të arrestuar pesë persona, ndërsa sipas mediave suedeze, dy prej tyre janë liruar menjëherë, ndërsa tre të tjerët, janë mbajt në paraburgim.
KlanKosova.tv ka arritur ekskluzivisht të sigurojë aktvendimet, ku edhe bëhen të ditur emrat e tre personave të dyshuar, që tashmë ngarkohen për kryerjen e veprës “Vrasje”.

Emrat e personave janë: Besnik Halili (28-vjeçar), Aron Halili (25-vjeçar) dhe Nazmi Halili (29-vjeçar), të cilët janë vëllezër, ndërsa sot, (26.05.2026), Nazmi Halili kishte kërkuar seancë dëgjimore, ku me vendim të gjykatës, ai përsëri është dërguar në paraburgim.]
Pamje nga seanca dëgjimore e Nazmi Halilit
Sipas dokumenteve të dorëzuara nga prokuroria në gjykatë, pritet të duhen të paktën edhe gjashtë javë derisa NFC, Qendra Forenzike e Policisë, të përfundojë analizat e saj lidhur me provat e mbledhura, përfshirë edhe ekzaminimet e gjurmëve të ADN-së.
Ndërkohë, policia ka zhvilluar disa intervista dhe marrje në pyetje që nga dita kur vëllezërit u arrestuan më 12 maj, ndërsa pritet të zhvillohen edhe shumë intervista të tjera gjatë javëve në vazhdim.
Klankosova.tv poashtu ka mësuar se tre vëllezërit janë dërguar në burgje të ndryshme, në mënyrë që të shmangin kontaktin ndërmjet vete, ndërsa nuk ju lejohet kontakti me asnjë njëri tjetër përveç avokatëve të tyre mbrojtës.
Frotografi të tre të dyshuarave për vrasjen e Elion veselit
Po ashtu, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe telefonat mobilë, të cilët pritet t’i nënshtrohen analizimit dhe kontrollimit të përmbajtjes së tyre, proces që njihet si “zbrazje” e telefonave, për të siguruar prova shtesë për rastin.
Klankosova.tv ka mësuar pashtu se në vitin 2020 Besnik Halili (vëllau i mesëm), ishte dënuar edhe më herët së bashku me tre persona të tjerë për grabitjen e një dyqani në Suedi, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2017.
Nazmi Halili, Besnik Halili dhe Aron Halili gjatë seancës janë deklaruar të pafajshëm, mirëpo me vendim të gjykatës pas kërkesës së prokurorisë, tre personat janë dërguar në paraburgim, me arsyetimin se të njëjtit mund të zhdukin prova, ose në një mënyrë tjetër të ndërhyjnë në procesin hetimor.
Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë Suedeze në këtë rajon ditë më parë, për të marrë informacione të reja, por zyrtari për komunikim nuk e ka dhënë asnjë detaj, meqë hetimi ende vazhdon.

