Arratisja e të burgosurit nga spitali, këta janë dy zyrtarët e Burgut të Gjilanit të pezulluar nga puna

Gazeta Sinjali sot raportoi për arratisjen e një të burgosuri nga Spitali i Gjilanit, ku ishte dërguar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë, prej ku kishte arritur të largohet dhe akoma nuk është kapur. I njëjti ka kërcyer nga dritarja e tualetit dhe për pasojë u largua në drejtim të panjohur. Personat që po dyshohen se kanë dështuar në kryerjen e detyrave janë dy gardianët e caktuar për mbikëqyrjen e të burgosurit.

Sinjali mëson se ndaj tyre tashmë kanë nisur hetimet nga Prokuroria, por edhe nga SHKK.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy oficerët Valon Kryeziu dhe Mensur Begisholli, zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, po dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare në këtë rast.

Ndaj dy zyrtarëve të cilët kanë qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e të burgosurit tashmë iniciuar edhe procedura disiplinore, ndërsa, në bazë të vendimit të komisionit disiplinor, ata janë pezulluar nga puna.

I burgosuri M.Gashi, (emër i njohur për redaksinë) ishte dënuar me tri vjet burgim për veprën penale ‘Kanosje’, por për shkak të gjendjes shëndetësore ishte dërguar në spital për trajtim të vazhdueshëm mjekësor.

Rasti është konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, me ç’rast u bë e ditur se kanë formuar komision hetimor për të zbardhur rrethanat e arratisjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Në emër të Allahut”, Duda Balje njofton se është takuar me Halil Kastratin