Armatimi që u gjet dje në Banjskë ishte fshehur në banjon e hotelit – Policia jep detaje

Policia e Kosovës, të premten ka zhvilluar një kontroll shtesë në hotelin “Rajska Banjskë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku janë gjetur armë e pajisje ushtarake.

Siç njoftoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, u gjetën dy jelekë antiplumb, një armë AK-47, tetë karikatorë me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake.

Ai tha se këto prova materiale janë aty që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë.

Ndërkohë sipas një njoftimi nga Policia, bëhet e ditur se armatimi dhje pajisjet ushtarake ishin fshehur në banjon e hotelit.

“Njësiti i hetuesisë gjatë kontrollit në banjon e një hoteli ka gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, katër karikatorë, 103 fishekë kalibrash të ndryshëm, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarakë, një thikë, shallë ushtarake, antiplumb me pajisje tjera. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se kompleksi “Rajska Banja” në dhjetor të viti të kaluar është marrë nën kontroll nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në hapësirat e këtij kompleksi, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur më 24 shtator, dy persona ishin arrestuar, por më pas ishin liruar nga autoritetet.

Lexo edhe:  Mitrovicasja ka pasur një copëz granate dy cm nën gjuhë që 23 vjet, e largoi para disa javësh në QKUK