Apeli kthen në rigjykim rastin e Lavdim Krasniqit dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka kthyer në rigjykim në Themelore, rastin e ish-drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, shoferit të tij Ardian Krasniqi, asistentes Marigona Berisha e zyrtares se prokurimit Flora Doda.

Përmes një komunikate për media, Apeli njofton e ky vendim është marrë pasi që është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë si dhe ankesat e mbrojtësve të tre prej të akuzuarve që ishin dënuar nga shkalla e parë.

“Gjykata e Apelit, me aktvendimin PAKR.nr.400/2023, të datës 17.10.2023, e ka aprovuar, ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë si dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, L.K., av.Ramë Gashi, A.K., av.Nysret Mjeku, dhe M.B., av.Fatlum Podvorica, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.484/2021, të dt.25.04.2023, e ka anuluar, ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore janë të bazuara dhe se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parashikuara në nenin 384 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për të cilat thuhet se Apeli kujdeset edhe sipas detyrës zyrtare.

“Kjo për faktin se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me arsyetimin e këtij vendimi, e në të cilin nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta lidhur me faktet vendimtare të cilat i ka vërtetuar apo nuk i ka vërtetuar, gjykata e shkallës së parë, përkitazi me pjesën liruese apo dënuese të aktgjykimit. Tutje kolegji i kësaj gjykate, ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në vërtetim jo të plotë të gjendjes së fakteve, për çka gjykata e shkallë së dytë ka dhënë udhëzimet konkrete të cilat do të duhet të eliminohen në fazën e rigjykimit nga gjykata e shkallës se parë, të cilat konsistojnë në shkeljen e ligjit penal dhe po ashtu edhe të vendimi për konfiskimi të pasurisë së specifikuar”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Lexo edhe:  Pejani kërkon ndihmën e Policisë pasi gruaja ia mbylli derën e banesës: Fjeta në shkallë…

Në mars të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe Ardian Krasniqit dhe Marigonë Berishës, duke i dënuar së bashku me 5 vjet e dy muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.