Antidroga aksion në Gjakovë, konfiskohet kokainë dhe arrestohet një person

Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë ka zhvilluar sot një aksion, që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe konfiskimin e një sasie të kokainës. Bastisjet janë kryer në një shtëpi në qytetin e Gjakovës.

Siç merr vesh Sinjali, Antidroga ka kryer kontrolle në shtëpinë e një 45-vjeçari, i cili tashmë ndodhet në ndalim policor – ku janë gjetur rreth 10 qese me substancë narkotike, të llojit kokainë.

Përveç drogës, Policia ka gjetur edhe prova të tjera, që po ashtu janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

Bastisja në shtëpinë e të dyshuarit është kryer me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, është hapur rasti në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lexo edhe:  Ferizaj: Vajza e dehur ushtron dhunë ndaj nënës së saj, e bën për spital