Anesteziologu që la Kosovën: U detyrova të shkoj në Afrikë për të punuar, rroga 650 euro në QKUK nuk mjafton

Ikja e profesionistëve shëndetësorë nga vendi është një alarm për gjendjen aktuale dhe të ardhmen e shëndetësisë në vend.

KIKS Kosova ka trajtuar këtë temë dhe mbylljen e qendrave e ambulancave të mjekësisë familjare, si pasojë e këtij fenomeni.

Në mesin e atyre që u detyruan të largohen nga vendi, si pasojë e kushteve financiare, është edhe anesteziologu Gëzim Kunoviku.

Në intervistë, Kunoviku ka rrëfyer sfidat dhe vështirësitë për të braktisur gjithçka në Kosovë, me qëllimin e vetëm që t’u sigurojë katër fëmijëve të tij shkollimin e duhur.

Kunoviku, i cili ndodhet në zonën e Mogadishut, zonë lufte në Afrikë, ka treguar që rroga prej 650 eurosh që e merrte në QKUK, ishte e pamjaftueshme për mbijetesë në Kosovë.

Andaj, kjo thotë se e detyroi që të linte gjithçka pas vetes për një punë të përkohshme në Afrikë.

Megjithatë, Kunoviku, i cili është edhe rezervist i Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë se familja e tij e ka ndjerë mungesën e tij edhe kur ai ishte në Kosovë, pasi që detyrohej të punonte edhe në sektorin privat, në mënyrë që atyre të mos u mungonte asgjë.

“Para pesë ditëve më kontaktoi vajza ime 12-vjeçare dhe më tha: ‘A do ta gjesh një punë që punon më pak?’. Kjo nënkupton se edhe kur kam qenë në Kosovë, nuk kam qenë i pranishëm në jetën e tyre”, tha ndër të tjera ai, raporton Klan Kosova.

Kunoviku u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin masa emergjente për ndalimin e ikjes së profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit, pasi që në të kundërtën vendi mund të vijë në një situatë ku do të detyrohen të marrin kuadro mjekësore nga vendet e Lindjes.

Lexo edhe:  FSK-ja sot organizon Ditën e Vizitorëve, pjesëmarrëse edhe Osmani