Aktivisti i VV-së largohet nga partia: S’mund të jem pjesë e padrejtësisë

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kamenicë, Besard Isufi, ka njoftuar dorëheqjen nga kjo parti përmes një postimi publik në Facebook, duke shprehur zhgënjimin ndaj asaj që e quajti “parregullsi të vazhdueshme dhe shkelje të drejtësisë” brenda subjektit politik.

Ai theksoi se vendimi i tij është nxitur veçanërisht nga konkursi i fundit për pranimin e infermierëve në komunën e Kamenicës, ku pretendon se janë përjashtuar kandidatë të merituar – përfshirë motrën e tij me mesatare 9.4 – në favor të personave të lidhur me bashkëpunëtorët e kryetarit aktual Kadri Rahimaj.

“Si është e mundur që një ese me 16 rreshta të plotësohet për 10 minuta? Kjo është dëshmi se testet janë shpërndarë paraprakisht,” shkroi Isufi.

Në postimin e tij, ai kërkoi falje për të gjithë bashkëpunëtorët e deritashëm dhe bëri të ditur se nuk do të garojë për asamble, duke theksuar se nuk dëshiron të jetë pjesë e një strukture që, sipas tij, ka braktisur parimet e drejtësisë.

Isufi përfundoi reagimin me mesazhe të ashpra për udhëheqësit aktualë lokalë, duke shprehur shpresën për një “humbje të pushtetit” dhe duke theksuar se ai do të mbetet “faqebardhë”, ndryshe nga ata që “janë të mllefosur nga humbja”.

Postimi i plotë:

“Si është e mundur që një aplikues me notë mesatare 9.4 të mos pranohet vetëm sepse ajo është motra ime? Si është e mundur që të pranohen persona e anëtarë të familjeve të bashkëpuntorëve të ekipit të kryerarit në ikje Rahimaj?

Si është e mundur që testi, i cili përfshinte edhe një ese prej të paktën 16 rreshtash, të plotësohet brenda 10 minutash?

Kjo nuk mund të jetë veqse një provë se testet janë dhënë paraprakisht për këta persona.

Lexo edhe:  Incident në Veri: Policia detyrohet të përdor armën e zjarrit, një xhip i rrezikoi duke ikur

Në këtë njoftim dua t’u kërkojë falje të gjithë atyre me të cilët kam punuar për 4 vite radhazi, sepse nuk do te futem në garë për asamble. Jo për shkak të mungesës të kapacitetit, por sepse nuk mund të jem pjesë e atyre që janë thirrur për drejtësi, e sot jetojnë me padrejtësi.

E di që disa prej jush do të më kritikojnë, sepse për ju, ai që del nga Lëvizja është personi më i urryer. Por mos harroni që në vitin 2016 kam lëshuar orë mësimore për t’u bashkuar me ju ne cdo aktivitet dhe protestë. Mos harroni që kam punar ditë natë, nga mëngjesi deri në orët e pasmesnatës, që ju të vini në pushtet.

Kam sjellë rreth 150 vota në garën për asamble, si 22 vjeqar.

Sa kam ditur e sa kam mundur, kam kontribuar për Lëvizjen.

Përfundimisht, të gjithë të pranuarve ju uroj suksese, së pari në jetë dhe pastaj në punë.

Punoni ashtu sic duhet betuar në mjekësi, e jo sic jeni pranuar.

Shihemi në zgjedhje, dhe me shpresë të shihemi ne humbjen e pushtetit. Unë do të jem gjithmonë faqebardhë, e ju të mllefosur dhe të inatosur nga humbja.”