Aktakuzë ndaj zyrtarëve që u zunë duke konsumuar kokainë në Komunën e Leposaviqit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale S.S., për shkak të veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe ndaj ish-nënkryetares Dragana Miletiq, dhe zyrtarit me iniciale S.M., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Në njoftim thuhet se gjatë muajit nëntor 2023 në objektin e Komunës së Leposaviqit, i pandehuri S.S., akuzohet se në një nga zyrat e komunës e fton të pandehurën D.M., dhe i ofron substancë narkotike të llojit kokainë dhe e konsumojnë së bashku përmes hundës.
“Po ashtu, në një rast tjetër në muajin nëntor 2023, i pandehuri S.S., e thërret në një nga zyrat e objektit të Komunës së Leposaviqit të pandehurin S.M., dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e vendos në tavolinë dhe i pandehuri S.M., e konsumon përmes hundës. po ashtu, gjatë muajit nëntor i pandehuri S.S., në një nga lokalet e qytetit pa autorizim shpërndanë substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që e thërret në banjon e kafiterisë të pandehurën D.M dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e pandehura D.M., e konsumon përmes hundës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që tre të pandehurit t’i shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.
Portali “Nacionale” në janar të vitit të kaluar pati publikuar një video në të cilën shiheshin zyrtarë të kësaj komune, përfshirë nënkryetaren Dragana Miletiq, duke konsumuar drogë. Vetë Miletiq e pati akuzuar Listën Serbe “për shpikje”.