Aksion policor ‘Blloku’: Policia arreston katër të dyshuar dhe kap drogë në vlerë rreth 15 mijë euro
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Prishtinë, ka realizuar një aksion policor të koduar si ‘Blloku’ që ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar dhe kapjen e një sasie të drogës në vlerë të rreth 15 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.
Personat e arrestuar që për shitblerjen e narkotikëve u kapën pasi Policia ndaloi një automjet të dyshuar në magjistralen Prishtinë- Podujevë, në të cilën ndodheshin 2 prej tyre.
Gjatë kontrollimit të veturës është gjetur një sasi jo fort e madhe e substancës narkotike e llojit marihuanë.
Operacioni policor ka vazhduar tutje për identifikimin e veturës së dytë të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në rast, të cilët përkundër tentativës për të ikur dhe pas hedhjes së substancës narkotike në tokë në sasi prej 420.2 gram të njëjtit janë arrestuar.
“Në lidhje me rastin, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të njëjtin, hetuesit policorë kanë kryer kontroll në banesën të cilën e kanë shfrytëzuar të dyshuarit, ku janë gjetur :
Një paketim me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 1063.8 gram,
Një qese me bari të gjelbër e dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë 31.8 gram,
Sasi e pluhurit ngjyrë të bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 22.6 gram dhe
3 -peshore digjitale .
Vlera e substancës narkotike e shitjes parashihet të jetë rreth 15 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e të gjitha dëshmive të gjetura si prova material, ndërsa nga personat e dyshuar dy prej tyre pas intervistimit te tyre me urdhër të prokurorit janë liruar, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje për 48-orë.” – njoftoi Policia.