Aksidenti në Skenderaj – emrat e të lënduarve, kjo është gjendja e tyre
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në mesditë në rrugën rajonale Mitrovicë–Skenderaj, konkretisht në fshatin Klinë e Poshtme, Komuna e Skenderajt, me ç’rast një grua ka humbur jetën dhe disa persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda institucioneve të sigurisë bëjnë me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete të udhëtarëve: një VW Touran si dhe një Audi A4.
Bazuar në të dhënat paraprake, aksidenti ka ndodhur kur drejtuesi i veturës VW Touran, duke u kyçur nga një rrugë dytësore në atë rajonale, dyshohet se i ka prerë rrugën veturës Audi A4, e cila po lëvizte në drejtim të Skenderajt.
Si pasojë, automjeti Audi u përplas me pjesën anësore të VW Touran-it.
Nga kjo përplasje, tre persona që ndodheshin në veturën VW Touran kanë pësuar lëndime të rënda trupore: drejtuesi Gani Dubovci, 68-vjeçar, Lila Dubovci, 58-vjeçare dhe Xhevrije Hyseni, 67-vjeçare, e cila nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve.
Në anën tjetër, drejtuesi i veturës Audi dhe pasagjerja Fatlind Hyseni, 23-vjeçare pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në QKMF Skenderaj, janë liruar.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili nuk ka dalë në vendin e ngjarjes, por ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.