Aksident i rëndë në Kçiq/ Vetura ndeshet me kamion, dy persona dërgohen me urgjencë në QKUK

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje rreth orës 11:30 në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë, ku si pasojë janë lënduar katër persona.

Dy nga të lënduarit kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe si shkak i kësaj janë dërguar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor. Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë.

Ndërsa dy personat tjerë që u lënduan, janë liruar në shtëpi pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Emergjencën e Spitalit rajonal në Mitrovicë.

Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur shkaku i pakujdesisë së veturës, shoferi i të cilës ka dalë në shiritin e kundërt të rrugës dhe është goditur drejtpërdrejt me kamionin.

Kujtojmë se aksidentet në trafik janë një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku për çdo ditë regjistrohen dhjetëra të tilla në të gjitha qytetet e Kosovës. Ato zakonisht ndodhin si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.

Lexo edhe:  Lajm i mirë për kosovarët që punojnë në Gjermani, priten lehtësime për marrjen e shtetësisë