Agjencia e Ushqimit del me sqarime lidhur me cilësinë e mishit në Kosovë

Pas pretendimeve të ngritura për sigurinë dhe cilësinë e mishit të eksportuar në Shqipëri nga një subjekt ekonomik vendor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka dalë me një sërë sqarimesh rreth rastit.

Më poshtë janë veprimet dhe konstatimet kryesore nga ana e Agjencisë:

Pas njoftimit zyrtar, Agjencia ka ndaluar përkohësisht eksportin dhe ka nisur procedurat e verifikimit në përputhje me ligjin dhe vlerësimin e rrezikut.

Është krijuar një komision ndër-institucional që përfshin AUV, Doganën dhe ATK-në për të kryer auditimin dhe gjurmueshmërinë e plotë të produktit dhe dokumentacionit të tij.

Verifikimi ka nisur me çertifikimin e ngarkesës Nr. CVE05770/2024, e datës 18.03.2024, ku subjekti eksportues është APETIT (Kosovë) dhe importuesi SES FOOD DENIS RECI (Shqipëri), për një sasi prej 1,000 kg mish gjedhi të ngrirë pa kocka.

AUV ka bashkëpunuar ngushtë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë duke ndarë informacionet e nevojshme dhe duke formuar një trup pune të përbashkët për të menaxhuar rastin.

Auditi dhe gjurmueshmëria kanë treguar që procesi i eksportit është bërë në përputhje me legjislacionin përkatës dhe se AUV ka vepruar në përputhje me kompetencat dhe detyrimet e tij ligjore.

Produkti i eksportuar, mish gjedhi i ngrirë, rezulton se është origjinë nga therjet e kafshëve në Kosovë dhe është plotësisht i gjurmueshëm.

Informacioni në etiketa dhe dokumentacion është i plote dhe mundëson gjurmimin e qartë të produktit nga origjina deri në konsum.

Verifikimi i Çertifikatave Veterinare Shëndetësore ka vërtetuar përputhshmërinë e produkteve të eksportit me standardet dhe legjislacionin përkatës.

Testet laboratorike nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri kanë konfirmuar që produktet janë brenda parametrave të sigurisë ushqimore.

Inspektimet e kryera nga AUV nuk kanë gjetur asnjë parregullsi që do të kishte ndikim në sigurinë ushqimore.

Lexo edhe:  Përfundon takimi i SBASHK-ut me Osmanin, vjen lajmi i fundit nga Jasharaj

Mishi i freskët i eksportuar është prodhim i therjeve të kafshëve në Kosovë dhe është nënshtruar kontrollit veterinar në të gjitha fazat e procesimit.

Çështja e pretendimeve për evazion fiskal është duke u trajtuar nga autoritetet tjera përkatëse dhe del përtej kompetencave të AUV.

Me këto veprime dhe rezultate të inspekteve, AUV siguron qytetarët se produktet që qarkullojnë në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm janë të sigurta për konsum në përputhje me legjislacionin dhe standardet e sigurisë ushqimore.

Agjencia vazhdon të kryejë inspektime, auditime, dhe mostrime të rregullta për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e ushqimit, dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me palët e interesit për çdo situatë të re që mund të ndodhë.