Agjencia e Pyjeve: Është rritur niveli i prerjeve ilegale të pyjeve në Kosovë

Në Kosovë është rritur niveli i prerjeve ilegale të pyjeve, kanë deklaruar zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Menderes Ibra, drejtor për menaxhimin e pyjeve në këtë agjenci ka thënë se prerjet e lejuara të drurëve në Kosovë janë rreth 1.2 milionë metra kub.

Sipas tij, në Kosovë prerjet vjetore dhe rritja vjetore janë në të njëjtin nivel, gjë që nuk është e shëndetshme për pyjet.

“Prerjet e lejuara janë rreth 1.2 milionë metra kub, në mënyrë që pjesa që rritet të jetë më e madhe. Në Kosovë prerjet vjetore dhe rritja vjetore janë në të njëjtin nivel, kjo tregon që nuk është e shëndetshme për pyjet. Nëse një pyll është i prerë tërësisht atij i nevojiten rreth 80 vite për tu kthyer në gjendjen e mëparshme”, ka thënë Ibra.

Ndërkaq, Besim Zogu, drejtor i Inspektoratit të pyjeve në agjenci ka kritikuar bartjen e disa kompetencave lidhur me pyjet, te komunat.

Sipas tij, kompetencat e mbrojtjes së pyjeve janë transferuar në komuna.

“Ne kemi qenë kundër delegimit të këtyre kompetencave si agjencion pasi kemi menduar që kjo do ta përkeqësojë situatën. Pjesa e planifikimit, e përgatitjet afatgjatë 10-vjeçare janë kompetencë e agjencionit pyjor të Kosovës”, është shprehur ai.

Ai ka kritikuar edhe pagat e rojeve të pyjeve, të cilat siç ka thënë janë rreth 270 euro, derisa ka kërkuar që ajo të rritet.

Lexo edhe:  Shqetësuese: Nxënësi i shkollës “Kadri Kusari” në Gjakovë kapet me thikë