Adi Krasta jep dorëheqje nga RTK-ja, dështon konkursi për drejtor gjeneral

Ka dështuar konkursi për drejtor të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës.

Kështu ka njoftuar Bordi i RTK-së nëpërmjet një komunikate për media, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Bordi i RTK-së, në mbledhjen e sotme të tij, ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës mbi votimin për hapjen e zarfave për konkursin e drejtor të përgjithshëm. Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit. Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfave pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm.”, është thënë në komunikatën e Bordit të RTK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se Bordi ka pranuar dorëheqjen e zëvendësdrejtorit të RTK-së, Adi Krasta.

“Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK.”, thuhet në njoftimin e Bordit.

Për këtë ka shkruar edhe juristja e medias, Flutura Kusari

“Sapo dola nga mbledhja e bordit të RTK-së. Konkursi për drejtor gjeneral të RTK-së dështoi. Nuk u diskutua rishpallja e konkursit ndërsa u tha që bordi ka nevojë për kohë shtesë për caktimin e u.d drejtorit gjeneral. Bordi njoftoi që Adi Krasta ka dhënë dorëheqje.”, ka shkruar ajo.

Lexo edhe:  Ky është 63-vjeçari që dyshohet se sulmoi seksualisht një vajzë 12-vjeçare në Prishtinë