Abdixhiku: Në takim pashë se Kurti nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar takimin e zhvilluar sot mes liderëve të partive politike dhe presidentes Vjosa Osmani, i cili synonte të gjente një rrugëdalje nga ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Abdixhikut, takimi nuk solli asnjë zhvillim të ri dhe palët mbetën në pozicionet që kishin mbajtur edhe më parë. Ai tha se mungoi çdo përpjekje konkrete nga partia në pushtet për të zhbllokuar situatën.

“Partitë qëndruan në pozicionet paraprake që nënkupton se nuk ka iniciativë që do ta zhbllokojë gjendjen e tanishme. Siç e pashë në takim, nga partia e parë nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, deklaroi ai.

Abdixhiku shtoi se gjatë takimit propozoi një qeveri të unitetit si zgjidhje për krizën, por që nuk u përkrah nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Në takim e kam elaboruar idenë e një qeverie të unitetit. Insistimi pa shumicë parlamentare sjell ngërç politik. Nuk jemi të interesuar që në situatën e tanishme të vazhdojmë cirkun e 48 orëve”, tha ai.

Në fund, ai bëri thirrje që presidentja ta shqyrtojë mundësinë për adresim të kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.

“Është mirë që presidentja të shqyrtojë që sa më parë të shqyrtojë dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese. Ne kishim një plan përpara, dy partitë e tjera kishin mirëkuptim, por jo edhe e para”, përfundoi Abdixhiku.

Lexo edhe:    Aksident në Ferizaj, lëndohen lehtë 7 persona