A mund të pajisen të gjthë kosovarët me nënshtetësi shqiptare?

Shtetësi shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës premtoi lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, nëse vjen në pushtet.

Madje kryedemokrati tha se kjo do të realizohej lehtë përmes një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Por analisti politik nga Tirana, Mentor Nazarko po vlerëson se Berisha kishte premtuar të njëjtën gjë dy herë sa ishte në pushtet por nuk e kishte realizuar. Kësisoj ai thotë se Berisha i dha ato deklarata vetëm për ta rritur pëlqimin për të në Kosovë.

“Ai nuk tha të vërtetën në lidhje me një dekret të tij presidencial të 1992 i cili, i cili në fakt nuk u përkthye në realitet me dhënie të shtetësisë shqiptare për të gjithë kosovarët. Së dyti propozimi që bëri z.Berisha më 2012 në cilësinë e kryeministrit ishte gjithashtu demagogjik. Kush ka punuar në ambasadën shqiptare në Prishtinë atëherë e mban mend se si për shkak të atij premtimi gjoja bujar qindra dhe mijëra kosovarë e gdhinin në dyert e ambasadës shqiptare sepse besonin se në mënyrë automatike do ta merrnin shtetësisë”, ka thënë Nazarko për Tëvë1.

E sipas profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifit dhënia e shtetësisë shqiptare për qytetarët e Kosovës është e mundshme por aktualisht mund të jetë e dëmshme.
“Kjo edhe mund të bëjë dëm për momentin më shumë sesa që mund të jetë e dobishme në kuptimin e asaj që Kosova është në fazat po themi përfundimtare të integrimit të saj në strukturat euroatlantike pavarësisht që po na doket shumë larg”, tha Arifi.

Që nga viti 2000 e deri më 2018 mbi 700 qytetarë të Kosovës janë pajisur me pasaportë të Shqipërisë.

Lexo edhe:  Si u arratis i dyshuari për vrasjen në Klinë: Policia e gjen veturën e grabitur