A ia ndali Shteti rrymën BondSteel’it? Flasin nga Ministria e Ekonomisë

Javët e fundit të vitit të kaluar, disa qytete u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike, për disa ditë me radhë. Më i prekur ishte rajoni i Ferizajt. Atje gjendet edhe kampi “BondSteel”, e së fundi u pretendua se ndërprerje të rrymës pati edhe në këtë bazë dhe se Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u ftua për takim urgjent për këtë çështje. Nga kjo Ministri flasin për Gazetën Online Reporteri.net, lidhur me këtë.

Ministria e Ekonomisë, në krye me Artane Rizvanollin, nuk është në dijeni nëse baza kryesore amerikane në Kosovë “BondSteel”, që gjendet në afërsi të Ferizajt, u përfshi në ndërprerjet e shpeshta të rrymës që u bënë fundvitin e kaluar.

Deklarata se atje kishte ndërprerje rryme u bë nga ish-Kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani. Ai pretendoi se për këtë ka pasur reagim të ashpër nga NATO dhe se ishte thirrur për takim edhe Rizvanolli.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga kjo ministri kanë deklaruar se nuk kanë informacion nëse ka pasur ndalje të rrymës në këtë bazë, teksa kanë shtuar se s’kanë pranuar ndonjë shqetësim për këtë.

Ministria ka rekomanduar që për këtë të pyetet KESCO.

“Ju njoftojmë se nuk kemi informacion nëse ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për kampin BondSteel. Po ashtu, nuk kemi pranuar shqetësim nga ky i fundit. Rekomandojmë që pyetjet të përcillen edhe tek KESCO”, thuhet në përgjigjen drejtuar Reporteri.net.

Reporteri.net ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe tek KESCO, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’ka pranuar përgjigje.

Pyetjet për pretendimet e Ramadanit i janë përcjellë edhe KFOR’it, por as ata s’janë përgjigjur.

Lexo edhe:  Piloti i parë shqiptar i forcave ajrore amerikane: Me krenari e mbaj uniformën

Ndryshe, Ramadani deklaroi javën që shkoi se edhe kampi Bondsteel ishte përfshirë në ndërprerjen e energjisë elektrike.

Sipas tij, kjo kishte ngjallur reagimin e NATO’s deri te pyetja a jemi në vend miqësor apo armiqësor.

Ramadani pretendonte se ka pasur menjëherë takime me ministren e Ekonomsë, Artane Rizvanolli, e mekanizma energjetikë dhe nga pala kosovare është thënë se “i keni gjeneratorët”.

“Me NATO nuk ka shaka, raportet me NATO’n janë më strikte, më të sakta, sesa raportet bilaterale me shtetet. NATO ka tjetër strukturë, kur merr vendim NATO edhe Rusia e Kina i tërheqin vendimet e veta”.

“Ditët e fundit, Kosovë kemi pasur mungesë të energjisë elektrike dhe ka qenë e përfshirë edhe KOST edhe Qeveria dhe e kanë ndalë rrymën Bondsteel. Ka ndodhur para vitit të ri, është një prej temave që ka ngjallur reagim të NATO’s, deri në pyetjen a jemi në vend miqësor apo armiqësor”, ka thënë Ramadani në T7./Reporteri.net