”A e njihni ndonjëri kryeinxhinierin Bekim Lushaku” – Publikohen bisedat që implikojnë direkt Albin Kurtin në aferat e KEK

Disa biseda mes Albin Kurtit, Dejona Mihalit, Nagip Krasniqit e Artane Rizvanollit dëshmojnë kontrollin e plotë të kryeministrit mbi shërbyesit e tij dhe njerëzit që i shërbejnë atij. Këto biseda dëshmojnë se asnjë veprim nuk ndodhë pa të, qofshin këto të paligjshme siç është shkarkimi i njerëzve nga puna. Në njërën prej bisedave Kurti e porosit ish-kryeshefin të fillojë “spastrimet e shkarkimet” në KEK. Komunikimet kanë ndodhur në platformën WhatsApp. Bisedat janë pjesë e një hetimi penal që rezultoi me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit, raporton Paparaci.

Albin Kurti, defacto e kontrollonte edhe Korporatën Energjetike të Kosovës. Të tjerët në pozita i shërbenin atij.

Paparaci ka siguruar disa biseda në një grup në platformën WhatsApp, të cilat e inkriminojnë shefin e Qeverisë i cili erdhi në pushtet me premtime për luftim të krimit dhe nepotizmit.

Pikërisht, të kundërtën e bën këtu.
Në një prej bisedave që posedon Paparaci, e cila është nxjerrë gjatë hetimeve për korrupsion kundër Nagip Krasniqit, në platformën WhatsApp, kryeministri e udhëzonte direkt ish-kryeshefin Nagip Krasniqi për shkarkime në KEK.
Caku i shkarkimeve, besohet se se ishin ata që s’i përkisnin partisë në pushtet.

Ai, frikësohej se po “bëhej vonë” për pastrimin e ndërmarrjes nga njerëz që pretendohet se ishin të padëgjueshëm ndaj pushtetit, pasi interesohej edhe për zhvillime rreth një konsorciumi që kishte fituar tender në të kaluarën në KEK.

Bisedat që dëshmojnë për kontrollin e Kurtit mbi Krasniqin dhe ndërmarrjen janë zhvilluar në gusht dhe tetor të vitit 2022.

Komunikimet mes Albin Kurtit, Nagip Krasniqit, Dejona Mihalit e Artane Rizvanollit janë pjesë e një hetimi penal që rezultoi me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit. Këto janë prova të njërës prej lëndëve të inicuara ndaj Krasniqit, por të cilat nuk janë administruar në gjykatë.

Lexo edhe:  Ndodh në spitalin e Mitrovicës: Pacienti me dializë detyrohet të blejë kabllo elektrike

Kryeministri i kërkonte llogari kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi nëse një zyrtar i lartë i ndërmarrjes kishte udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut me motiv prishjen e një konzorciumi që e kishte rinovuar një bllok të Termocentralit “Kosova A”.

Ishte i interesuar që ky konzorcium të prishej.

Krasniqi, i akuzuar me dy aktakuza për korrupsion, i raportonte Kurtit në detaje.

“A e njihni ndonjëri kryeinxhinierin Bekim Lushaku në TC Kosova A? Çka mendoni për të? Ma kanë lavdëruar…”, i pyet Kurti pjesëtarët e tjerë të grupit në WhatsApp – pjesë e të cilit janë Dejona Mihali, Artane Rizvanolli dhe Nagip Krasniqi.

E para i replikon Dejona Mihali, tregojnë komunikimet mes tyre të cilat i sjell të plota Paparaci.

Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk mban asnjë post publik, e quan manipulant kryeinxhinierin Lushaku.

“Po, më manipulant nuk mund të bëhet”, i përgjigjet ajo, Kurtit. “Për të mos thënë fjalë më të rënda”.

Krasniqi, i akuzuar në dy raste për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i shpjegon Kurtit detaje krejt të hollësishme për Lushakun.