A depërtoi një dron serb në territorin e Kosovës?
Foto ilustruese e bazës ushtarake në Dumosh
Sot në emisionin “Kosova Today”, u diskutua çështja e sigurisë në vend si dhe kërcënimet e mundshme të Serbisë ndaj Kosovës.
Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi tha se ka një të vërtetë mbi dyshimet se është xhiruar baza e FSK-së nga rrjete spiunazhi, transmeton Klankosova.tv.
“Ne kemi ngritur që një kohë të gjatë shqetësimin rreth antidronëve, si pajisje që monitorojnë dronët, ku ka mundësi që ata të mos ua lejon që të kenë qasje figurative brenda për brenda. Së fundmi dyshohet se një fluturake, dron, të ketë depërtuar brenda territorit të Republikës së Kosovës, për ta xhiruar një bazë ushtarake në Podujevë, në Dumosh. Sipas informacioneve deri më tani, ky dron mund të ketë fluturuar mbi 3000 metra lartë”, thotë tutje Elezi.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj tha se nëse është e vërtetë që një dron nga Serbia ka hyrë në Kosovë, atëherë situata sipas tij, është shqetësuese.
Ai përmendi se përderisa siguria e Kosovës është e monitoruar edhe nga KFOR-i, ngriti pyetjen se si ka mundur një dron nga Serbia të hyjë në territorin tonë.
Ndërsa analisti Azdren Shala, tha se nëse qëndron i vërtetë lajmi për këtë dron, ai thotë se institucionet tona s’e kanë haberin se çfarë po ndodh.
“Mos të harrojmë që Maqedoncin e kemi parë diku gjashtë-shtatë herë duke paralajmëruar për rrezik nga Serbia”, shtoi tutje Shala.
Ndër të tjera, Shala tha se Maqedonci është shndërruar “gebel si në Gjermaninë naziste”. Kjo pasi sipas tij, ministri i Mbrojtjes në detyrë, ka dhënë alarm të rrejshëm për konflikt të mundshëm në Kosovë.