Arrestohet punëtori i ‘Ona Lift’ që e shiti veturën e kompanisë me pajisje, shefi e denoncoi

Jo rrallëherë punëdhënësit në Kosovë denoncojnë keqpërdorimet nga punëmarrësit, që u shkaktojnë humbje dhe pasiguri për të zhvilluar siç duhet biznesin.

Një rast i tillë i keqpërdorimit të besimit është denoncuar nga pronari i një kompanie, i cili u detyrua ta raportojë punëtorin e tij, që dyshohet se përfitoi kundërligjshëm.

Si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar gjatë ditës së djeshme në Polici dhe ndaj tij tashmë është lëshuar urdhër për ndalim.

Sinjali ka mësuar se punëtori që punonte në kompaninë “Ona Lift” SHPK në Prishtinë po dyshohet se në muajin korrik kishte shitur një automjet të kompanisë, në të cilin kishte edhe pajisje të ndryshme në vlerë prej mijëra eurove – pa dijeninë e shefit.

Për veturën e firmës, ai dyshohet se mori rreth 500 euro, por që e futi veten në telashe dhe përfundoi në Polici.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pronari i kompanisë ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, ndërsa vetura që është gjetur në një fshat në Istog i është kthyer kompanisë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.”

Lexo edhe:  Efi Dhedhes mahnit me pozat në bikini