Gjakovari ia kris armës në ahengun familjar, përfundon në Polici
Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme.
Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Kështu ka ndodhur edhe të martën në fshatin Lugbunar në Gjakovë, ku një person po dyshohet se kishte gjuajtur me armë në një aheng familjar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur disa gëzhoja, si dhe është kapur i dyshuari.
I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti për veprat penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.