Të gjitha vendimet që u miratuan sot në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, të 99-tën me radhë, në të cilën ka miratuar pesë projektligje, dy rregullore si dhe vendime të tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se “u miratua vendimi për lirim nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për profesionistët shëndetësorë nga mërgata, të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës, angazhohen përkohësisht në këto institucione. Pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, këta profesionistë shëndetësorë mund të angazhohen në institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës për një periudhë deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve në një vit. Për angazhime më të gjata duhet të fillojnë procedurën e pajisjes me leje qëndrimi sipas legjislacionit në fuqi për të huajt”.

Po ashtu, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencimin e Profesionistëve Shëndetësorë të Huaj në Republikën e Kosovës. Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohet procedura dhe kushtet e marrjes së licencës të profesionistit shëndetësor të huaj për ofrimin e kujdesit shëndetësor. Udhëzimi administrativ do të lehtësoj angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësor në ofrimin e shërbimeve në sistemin tonë shëndetësor.

“Kosova, Shteti i Xhudos”, programi për zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos në Republikën e Kosovës, është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Shuma që parashihet për zbatimin e këtij programi në periudhën pesë vjeçare është 12 milionë euro. Këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtim të infrastrukturës adekuate fizike për zhvillimin e këtij sporti, zhvillimin e programeve për trajnimin e trajnerëve, integrimin e sportit të xhudos në arsimin para universitar, sigurimin e masave lehtësuese për sportistët elitarë në sportet luftarake, si dhe për zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare në sportin e xhudos.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Strategjinë e Arsimit 2022-2026 dhe Planin e veprimit, si dokument kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Strategjia identifikon 5 objektiva strategjik: 1) Përfshirja dhe qasje e barabartë në edukim në fëmijërinë e hershme; 2) Ngritja e cilësisë së arsimit para universitar përmes konsolidimit të mekanizmave për sigurim të cilësisë dhe ofrimit të mësimdhënies cilësore; 3) Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet dinamike të teknologjisë dhe tregut të punës, në funksion të mësimit gjatë gjithë jetës; 4) Përmirësim të cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë; si dhe 5)Përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësim të shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendët e transformimit digjital.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar pesë projektligje:

Projektligjin për Konfliktet Administrative, i cili rregullon parimet, rregullat dhe procedurat e gjykimeve të konflikteve administrative që ndjekin gjykatat kompetente dhe palët e përfshira. Ky projektligj synon mbrojtjen e interesave të ligjshme të subjekteve të së drejtës nga veprimet e paligjshme të kryera gjatë ushtrimit të autoritetit publik si dhe ligjshmërinë e ushtrimit të këtij autoriteti.

Lexo edhe:  Shkarkohet drejtori i Qendrës së Studentëve, ai i Institutit Pedagogjik dhe i Inspektoratit të Arsimit

Projektligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat e identifikimit dhe vlerësimit të ndikimeve të projekteve dhe aktiviteteve në mjedis, synon sigurimin e parandalimit dhe zvogëlimin e ndikimeve negative të projekteve publike dhe private si dhe përcaktimin e procedurave administrative gjatë procesit të vendimmarrjes për pajisjen me pëlqim mjedisor.

Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Ky ligj ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Projektligji për Mbështetjen e Punëve Publike i cili krijon mekanizma për sigurinë e realizimit të projekteve publike në situatat e ndryshimeve dhe luhatjeve në treg.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil (KPMShC) i cili qartëson kompetencat e KPMShC-së. Kjo pasi ligji në fuqi është analizuar dhe shfuqizuar në disa pika nga Gjykata Kushtetuese. Megjithëkëtë, në disa vendime të identifikuara, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka vazhduar të thirret në bazën ligjore të shfuqizuar. Për të kthyer ligjshmërinë, Qeveria ka plotësuar ndryshuar këtë ligj ashtu që, kompetencat e Këshillit të jenë të qarta për të gjithë. Duke synuar transparencë e llogaridhënie të plotë të të gjitha organeve shtetërore, është larguar imuniteti i anëtareve të Këshillit, si dhe ankimimi në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, bazuar në pushtetin diskrecional të Qeverisë për të nxjerrë vendime. Për të siguruar mbrojtjen e shërbyesve civil, është pamundësuar zbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kur pala e pakënaqur bën ankesë në gjykatë. Kështu është siguruar dyshkallshmëria e nevojshme dhe e domosdoshme, në qëllim të realizimit të të drejtave të zyrtarëve publik.

Është ndryshuar dhe plotësuar Programi Legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022, me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Me ndryshimin dhe plotësimin, Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022 i shtohet edhe miratimi i nëntë projektligjeve, hiqen dhjetë 10 projektligje dhe u ndryshohet afati i miratimit dyzet e një projektligjeve.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Rregulloren për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar dhe Shërbimin e Ndërlidhësve Policorë, e cila standardizon procedurat e punës për bashkëpunim policor ndërkombëtar dhe koordinim të aktiviteteve policore ndërkombëtare.

Po ashtu, është miratuar edhe Rregullorja për Orarin e Punës dhe Pushimet e Zyrtarëve Publikë, që përcakton kriteret dhe rregullat për caktimin e orarit të punës dhe të pushimeve, si dhe procedurat për shfrytëzimin e pushimeve.

Lexo edhe:  “Kurti po mbron hajnat”: Haxhiu reagon për videon e kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Ndërsa sipas vendimit tjetër të miratuar në mbledhjen e sotme, regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe banesave, në Republikën e Kosovës, do të realizohet në periudhën kohore 1 shtator – 16 tetor 2023. Vendimi obligon Agjencinë e Statistikave të Kosovës, të fillojë përgatitjet e duhura me qëllim realizimin e regjistrimit, në periudhën e cekur në këtë vendim.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje të Qeverisë është pezulluar përkohësisht zbatimi i pikave 2 dhe 5 të Vendimit të Qeverisë për kushtet e hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës. Ky vendim është në raport me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në koherencë me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për pezullim të marrëveshjes për lehtësim të vizave Shengen për shtetasit rusë dhe vazhdimin e masave kufizuese dhe ndëshkuese kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës.

Ka marrë miratimin edhe Raporti vjetor i Punës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2021. Ky raport analizon gjendjen dinamike dhe performancën krahasuese të vitit raportues me vitin e mëparshëm. Raporti procedohet për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për miratimin e tarifave administrative lidhur me procedurat e shqyrtimit të kërkesave për leje mjedisore, vazhdimit të lejes mjedisore dhe transmetimit të lejes mjedisore.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është themeluar Komisioni Qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera. Po ashtu është themeluar edhe Komisioni i Pranimit për institucionet e administratës shtetërore për Grupin specialist të shkencave shoqërore.

Është shqyrtuar dhe miratuar Koncept-dokumenti për Fushën e Falimentimit i cili analizon fushën dhe zbatimin e Ligjit për Falimentimin. Koncept dokumenti rekomandon ndryshimin e këtij Ligji dhe me synim që ndryshimet e bëra të prodhojnë zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme në zbatimin e tij.

Pas shqyrtimit, është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për transferin e brendshëm të mjeteve, bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Ka marrë miratimin edhe kërkesa e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për transferin e brendshëm të mjeteve, bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Nga kjo shumë, 1,574,400 euro ndahen për blerjen e barnave dhe 1,449,900 për furnizimin e spitaleve me material harxhues.

Me aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit u miratua transferi i brendshëm i mjeteve që do të përdoren për blerjen e librave.

Lexo edhe:  Arrestohet zyrtari i ministrisë së Liburn Aliut, u kap në veturën zyrtare me dy vajza serbe

Edhe kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferin e brendshëm të mjeteve në shumën 5,385,511 euro sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar.

Tri nisma për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare kanë marrë miratimin në mbledhjen e sotme:

• Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtinë dhe KfË, Frankfurt am Main për projektin “Klima e Përshtatshme për Zhvillimin Urban të Ujërave të Zeza Prishtinë”.

• Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), si dhe KfË, Frankfurt am Main për projektin “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta II-IV (II)”, si dhe

• Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), si dhe KfË, Frankfurt am Main për projektin “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta II-IV (II) – Masa Përcjellëse”.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Planin e Veprimit për zbatimin e 22 rekomandimeve të Raportit vjetor të auditimit për vitin 2021 të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Plani obligon të gjitha organizatat buxhetore për zbatim të rekomandimeve të këtij raporti. Niveli i zbatimit të rekomandimeve do të monitorohet nga një mekanizëm i cili përcaktohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në koordinim dhe me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit.

Edhe vendimi për rialokim të mjeteve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhje. 2,316,871 euro do të ndahen për realizimin e 35 projekteve kapitale, sipas memorandumeve të mirëkuptimit të nënshkruara nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me kryetarët e komunave.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme Pakon e përballjes me inflacionin. Po ashtu ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të ndarë mjete shtesë për kompensimin e orëve shtesë të angazhimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi që verifikon dhe zgjidh konfliktin për kompetencë në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për shfrytëzimin e pyjeve publike dhe private në parqet kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri.” Ky vendim është i vlefshëm deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për Pyjet, i cili pritet të zgjidh këtë konflikt.