Rriten ankesat ndaj zyrtarëve policorë, rekomandohet suspendimi i 39 prej tyre
Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka pasur 30% rritje të numrit të ankesave ndaj zyrtarëve policorë, krahasuar me vitin paraprak.
“Inspektorati Policor i Kosovës është duke pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave viteve të fundit. Në bazë të analizave statistikore, rezulton që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi diku 30% më shumë ankesa në raport me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi pranuar diku 1 mijë e 700 ankesa të cilat i kemi administru dhe hetu, një numër të konsiderueshëm të tyre edhe në hetim penal. Ndërsa, këtë vit janë diku rreth 950 ankesa që janë pranu vetëm në gjashtëmujorin e parë”, tha Hodaj në emisionin “Tempus” në KTV.
Sipas tij, qytetarët ankohen për sjellje të ndryshme, nga mënyra e komunikimit të zyrtarëve policorë me qytetarë, gjobat në trafik, keqpërdorim të detyrës zyrtare, për dhunë në familje, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, tejkalim të autorizimeve, përdorim të forcës së tepruar e të panevojshme.
“Këto janë pak a shumë shkeljet tipike me të cilat ballafaqohet Policia jonë, por ndoshta edhe gjitha policitë për shkak të natyrës së punës dhe autoritetit që ia jep ligji që ndonjëherë të përdorë edhe dhunë, edhe përdorimin e forcës, por kur kjo tejkalohet bie në shkelje disiplinore apo penale dhe ne duhet ta trajtojmë”, tha Hodaj.
I pari i IPK-së tha se kanë paraqitur kallëzime penale ndaj 80 zyrtarëve policorë dhe se është rekomanduar suspendimi i 39 prej tyre.
“Nëse i marrim shifrat e këtij viti, kemi diku 80 zyrtarë policorë për të cilët ne kemi paraqit kallëzime penale apo raporte të veçanta në prokuroritë kompetente, në prokuroritë themelore apo Prokurorinë Speciale, varësisht prej natyrës së rasteve. Ne kemi rekomandu suspendimin e 39 zyrtarëve policorë si rezultat i këtyre hetimeve penale që kemi zhvillu. Kemi rekomandu transferin nga detyrat e punës për tre zyrtarë policorë dhe kemi arrestu tetë zyrtarë policorë dhe një qytetar të përfshirë në këto vepra penale për të cilët kemi zhvillu hetime penale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, tha Hodaj.
Paraprakisht, ai tha se nuk kanë arritur të dokumentojnë se ka pasur rrjedhje të testit në procesin e gradimit për rreshter.
“Ne nuk kemi arrit me dokumentu diçka të tillë dhe…ka pasur informacion se ka qarkullu në rrjete sociale një test me disa përgjigje, mirëpo gjatë procesit është vërtetu se nuk ka qenë testi i njëjtë që është përdorë në konkurs. Pra, nuk ka qenë e vërtetë që ka pas informacion apo fotografim apo test që është shpërndarë në rrjete sociale. Është mendu një që ka qarkullu gjatë fazës së testimit, mirëpo është vërtetu qysh atë ditë që nuk ka qenë testi i njëjtë”, u shpreh Hodaj.