Gjendja e të miturit që u plagos nga tezaku polic vazhdon të jetë e rëndë, i dyshuari dërgohet në paraburgim

I plagosuri që u qëllua nga tezaku polic në Istog po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe gjendja e tij po vazhdon të jetë kritike. Pas operacionit në Klinikën Emergjente, ai u transferua në Mjekimin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë.

Sinjali ka mësuar se 16-vjeçari i cili u plagos me armë zjarri në kokë është në gjendje të rëndë, teksa trajtimi i tij po vazhdon.

Ndërkohë polici i arrestuar dhe i suspenduar për plagosjen në Istog po hetohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë. Fatjon Hoti, zyrtar policor i gjeneratës së 59-të është dërguar sot në paraburgim pas seancës dëgjimore që u mbajt në Gjykatën Themelore në Pejë.

Në kërkesën për masën e paraburgimit thuhet se polici i dyshuar ka vepruar me dashje, duke tentuar ta privojë nga jeta tezakun e tij, raporton Sinjali.

Sinjali raportoi gjatë ditës së djeshme ekskluzivisht për detajet e para të këtij incidenti që tronditi familjet Hoti dhe Kamberaj.

Në kërkesën e siguruar nga Gazeta Sinjali është përshkruar në detaje se si nisi rasti, që për pak rrezikoi të përfundonte edhe tragjikisht.

“Më datë 15 korrik, rreth orës 23:35, në rrugën “Kuvendi i Arbrit” në fshatin Dubravë në Istog, me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër dhe atë të dëmtuarin, të miturin G.K., në atë mënyrë që në natën kritike, përderisa i dëmtuari kishte qenë së bashku me vëllain e tij, mysafirë në shtëpinë e të pandehurit, ku po qëndronin në dhomën e gjumit, për një moment i pandehuri përderisa ishte bërë gati që të shkonte në punë, në ndërrimin e natës, i veshur me uniformë të zyrtarit policor, merr armën nga dëshmitari, ku këtij të fundit paraprakisht ia kishte dhënë një shikim, e i cili në ato momente ishte ulur në krevat, ku kishte nxjerrë karikatorin nga arma dhe i kishte larguar fishekët një nga një, me ç’rast i pandehuri i nervozuar nga ky veprim, merr armën nga dëshmitari dhe këtij të fundit i mbetet një karikator në duar, ndërsa i pandehuri e vendos karikatorin tjetër që e kishte në rripin e pajisjeve policore, raportirat dhe shtënë një herë në drejtim të të dëmtuarit, i cili në ato momente ishte në këmbë dhe në distancë rreth 2-3 m larg prej të pandehurit, dhe të njëjtin e godet në pjesën e kokës, në anën e djathë, ku si pasojë i shkakton lëndime trupore” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga Sinjali.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike në këto vende

Në arsyetimin e Prokurorisë për kërkesën për paraburgim është marrë parasysh pesha, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale dhe po ashtu për faktin se i dyshuari duke qenë polic i gjeneratës së 59-të, në fillet e karrierës, teksa ishte në uniformë zyrtare, ka shtënë me armë ndaj të miturit në prezencën e vëllait të tij dhe vëllait të tani viktimës.