Zyrtari policor në Gjakovë shkakton vetaksident nga pakujdesia, rrokulliset me automjetin zyrtar

Mbi 50 aksidente trafiku kanë ndodhur në vendin tonë vetëm gjatë ditës së mërkurë. Në të shumtën e rasteve, aksidentet po shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes. Kështu ndodhi edhe dje te pika kufitare në Qafë Prush në Gjakovë dhe këtë herë i dyshuar është një zyrtar policor, raporton Gazeta Sinjali.

Siç ka mësuar Sinjali, bëhet fjalë për zyrtarin policor Gani Çeku, i cili shkaktoi vetaksident nga pakujdesia derisa ishte duke drejtuar automjetin zyrtar.

Në bazë të informacioneve të para, Çeku ka humbur kontrollin mbi veturën e Policisë (automjet civil)dhe për pasojë ka përfunduar jashtë rrugës – duke u rrokullisur më pas në një kanal.

Zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore, për çka u dërgua me urgjencë në Spitalin e Gjakovës për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe po ashtu është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2023, Çeku ishte suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Zyrtari policor, i cili ka qenë një kohë pjesë e Policisë së Trafikut në Gjakovë e më pas Policinë Kufitare ishte suspenduar si pasojë e një postimi që kishte bërë në llogarinë e tij në Facebook.

“Fort po me shkon mendja me i formu disa struktura paramilitare Shipëtare?! – A KA VULLNETARË!” – ishte postimi që i kushtoi Çekut me suspendim.

Lexo edhe:  95 vjeçari nga Gjakova gjeti “ilaç” rakinë: Oh, hoho, m’baftë mirë!