Mbi 100 mijë euro paga për punëtorët serbë që nuk dolën në punë, Auditori gjen shkelje në ministrinë e Sveçlës

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar raportin me gjetje për vitin 2023 për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ky institucion ka gjetur disa shkelje të bëra nga MPB dhe ka kërkuar që të ndërmarrin hapa nga ministria që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla.

Një ndër ta është pagesa me mbi 100 mijë euro për 20 punëtorë të cilët nuk ishin paraqitur në punë gjatë vitit 2023.

Hiç më pak se 108 mijë e 794 euro para të buxhetit të Kosovës janë ekzekutuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për zyrtarë të cilët nuk kishin dal fare në punë në vitin 2023.

Bëhet fjalë për punonjësit e komunitetit serb, saktësisht 20 prej tyre të cilët u punësuan nga kjo ministri.

Kjo është një ndër gjetjet që ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit të cilët ndër të tjera kanë rekomanduar që të ndërmerren hapa nga ministri Xhelal Sveçla për shkak se sipas tyre pagesat e tilla shkaktojnë dëmtim të buxhetit shtetëror.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Lexo edhe:  MC Qoppa bie pre e një mashtrimi – Kush është gjilanasi që ia mori mijëra euro dhe u zhduk