Ky është i arrestuari për kërcënimin e Prokurorit të Krimeve të Rënda në Prishtinë

Të enjten u raportua për një rast të kanosjes që ka ndodhur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku viktimë është një prokuror i Krimeve të Rënda. Prokurori është kanosur seriozisht nga një palë, i cili ka refuzuar të largohet nga zyra e tij dhe për pasojë ka intervenuar Policia, që u detyrua ta vë situatën nën kontroll.

I dyshuari, i cili i shkoi në zyrë prokurorit i veshur me jelek antiplumb tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.

Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht se personi i arrestuar lidhur me këtë rast është Mehmet Lajqi, rreth 57-vjeçar.

Burimet kanë bërë me dije se prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda (emër i njohur për redaksinë) është përballur dje me të dyshuarin dhe kërcënimet që pasuan, për motive akoma të panjohura.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari i cili ishte në zyrën e prokurorit si palë refuzoi të largohet, kur prokurori ia kërkoi një gjë të tillë dhe për pasojë u detyrua që të kërkojë ndihmën e Policisë.

Por, edhe kur zyrtarët policorë në Pallatin e Drejtësisë intervenuan si rezultat i raportimit, hasën në rezistencë, pasi i dyshuari refuzoi sërish, duke i detyruar që ta largojnë me forcë nga zyra e prokurorit.

Të njëjtat burime thonë se personi i dyshuar ka kërcënuar me fjalët se “e kisha vra prokurorin nëse do të kisha një armë”  e më pas ka vazhduar duke thënë se “edhe 100 vjet burg i kisha marrë”, raporton Sinjali.

Policia e arrestoi të dyshuarin dhe e shoqëroi në stacion policor, ku pas kontrollit u zbulua se i njëjti kishte pasur të veshur një jelek antiplumb, që u sekuestrua më pas nga zyrtarët policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore dhe intervistimit të tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti si “Kanosje”.

Lexo edhe:  Sveçla: Mbyllen tri komunat ilegale serbe në Dukagjin

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur kjo vepër penale kryhet ndaj personit zyrtar në lidhje me punën apo me pozitën e tij ose ndaj disa personave ose kur vepra kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.