Gjermanët zbarkojnë në Prishtinë në mes të tetorit, për t’ia fshirë Kosovës edhe disa infermierë

Kosova në vazhdimësi është duke u përballur me mungesë të mjekëve, infermierëve e anesteziologëve të cilët po shkojnë në shtetet të huaja për një pagesë më të mirë. Një prej vendeve ku profesionistët kosovarë shkojnë me së shumti për të ofruar shërbime shëndetësore është Gjermania, shkaku i pagesave të larta.

Pavarësisht mungesave të mëdha që ka Kosova me staf shëndetësor, më 15 tetor 2022 në Prishtinën do të organizohet edhe një forum gjermano-kosovar i infermierisë me moton “Punoni në Gjermani”, shkruan Gazeta Express.

Kështu ka bërë të ditur “Shoqata Evropiane për çështjet Kulturore dhe Sociale (EKSW) do të organizojë për herë të dytë këtë event e përmes të cilit synohet rekurtimi i kosovarëve për të punuar në Gjermani.

“Të nderuara zonja dhe zotërinj, pas forumit të suksesshëm në vitin 2019 dhe duke pasur parasysh nevojën e pandryshuar për infermierë të kualifikuar në RF të Gjermanisë si dhe interesimin e vazhdueshëm të njerëzve në Kosovë, ne kemi vendosur që në kuadër të këtij evenimenti t´i ftojmë përsëri qytetarët kosovarë, duke ju dhënë të interesuarve një perspektivë për një punësim apo edhe për t´ju mundësuar atyre një kualifikim profesional në profesionet, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor në Gjermani”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtij evenimenti shoqata EKSW do t´i informojë të gjitha motrat medicinale, teknikët medicinalë si dhe infermierët, por edhe të interesuarit e tjerë, që kanë një prapavijë profesionale në profesionet e shëndetësisë mbi mundësitë e punësimit, por edhe të kualifikimit profesional.

“Do të jetë i pranishëm një numër i gjerë i kompanive, që mund të jenë punëdhënësit tuaj potencialë nga të gjitha rajonet e Gjermanisë, me qëllim që ju të mund të njiheni me njëri-tjetrin” thekson njoftimi.

Lexo edhe:  Persona të maskuar në veri sulmojnë sërish me gurë gazetarët

Situata me staf shëndetësor në Kosovë është alarmante. Një infermier në Kosovë kujdeset për 24 pacientë, ndërsa numri maksimal i tyre do të duhej të ishte shtatë.

Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj, derisa në Gjermani është 2400 euro në muaj.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova në periudhën 2018-2021. Ndërsa, në gati tre muajt e parë të këtij viti, institucionet shëndetësore të Kosovës i kanë braktisur 59 mjekë.