Grabitësi i shumëkërkuar u kap nga FIT-i, forca të shumta policore u angazhuan në operacion

Grabitësi i shumëkërkuar i argjendarisë në Suharekë, Korab Gashi, u arrestua mbrëmjen e sotme pas një aksioni të gjerë, ku u angazhuan njësi të shumta policore. Gashi i cili arriti ta shijojë lirinë nga arratia që shtatë muaj, u kap sonte në Prishtinë.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Gashi u kap nga Njësia Speciale Intervenuese (FIT).

Arrestimi i tij ndodhi sonte rreth orës 21:00, shtatë muaj prej kur ai ishte në arrati.

Korabi është vëllai i Dukagjinit, që ishte vrarë gjatë konfrontimit me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni të gjerë, nëntorin e kaluar që lidhej me rastin e grabitjen në argjendarinë ‘Diakos 2’ në Suharekë.

Por, Policia nuk arriti ta kap edhe një të dyshuar, vëllain e Dukagjinit. Korab Gashi – i cili arriti të zhduket dhe të shpëtojë nga prangosja deri sonte kur edhe u kap.

Gashi, po ashtu me të kaluar kriminale, u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës më 13 dhjetor 2023, ku u bë e ditur se ndaj tij është lëshuar urdhërarresti nga organet e drejtësisë.

Dukagjin dhe Korab Gashi, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit.

Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.

Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjini ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.

Gjatë zhvillimit të operacionit, Dukagjin Gashi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin.

Lexo edhe:  Dy aksidente të rënda rrugës për Podujevë, 6 persona bëhen për Emergjencë