Tkurret popullsia e Shqipërisë

Shqipëria ka aktualisht 2 milionë e 204 mijë e 113 banorë. Shifra u bë publike nga Instituti i Statistikave dhe krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë 2011, rezulton që shteti ka 419 mijë e 831 banorë më pak. Ndërkaq, më 2001 numri i popullsisë ishte 3 milionë 69 mijë e 275 banorë.
Sipas Institutit të Statistikave, numri i familjeve është 755.950 dhe një familje ka mesatarisht 3.2 anëtarë. Ndërsa, numri i popullsisë ka rënë 17 për qind, teksa numri i shtëpive është rritur në 70.000. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2023 numri i shtëpive ishte 1 milion e 82 mijë e 529, ndërkaq më 2011 ishin 1 milion e 12 mijë e 400 shtëpi.

Drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli, tha për mediat se këto të dhëna do t’iu shërbejnë jo vetëm institucioneve, por edhe studiuesve dhe bizneseve.

“Këto analiza do të jenë për përdoruesit një burim informacioni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë. Hartuesit e politikave, vendimmarrësit, studiuesit, bizneset, mund t’i përdorin për planifikimin zhvillimor, analizën e dukurive demografike, sociale, ekonomike dhe mjedisore, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe zbatimin e tyre në praktikë në dobi të shoqërisë sonë”, tha Dhuli.

Regjistrimi i popullsisë ofron të dhëna edhe në lidhje me shtetësinë dhe në Shqipëri 99.4 për qind janë shqiptarë. Si shtetas grek janë deklaruar 23.485, egjiptianë 12.375 dhe 13.507 nuk kanë dashur të deklarohen.

Sa i përket besimit fetar, Shqipëria rezulton me shumicë myslimane, me mbi 1.1 milion, rreth 200.000 janë deklaruar katolikë, ndërsa 173.000 ortodoks. Rreth 244.331 kanë zgjedhur të mos përgjigjen.

BE ka dhënë 4.8 milionë euro grante për INSTAT-in për të mbështetur këtë proces. Për regjistrimin e popullsisë u angazhuan 7.500 persona. Ky është regjistrimi i dymbëdhjetë i popullsisë në Shqipëri./REL

Lexo edhe:  Kosovarët nga 1 janari vitit 2024 mund të udhëtojnë pa viza edhe në Zvicër