Në arrati për disa ditë, arrestohet edhe Albert Malisheva-i dyshuar për fajde

Për disa ditë radhazi, Policia e Kosovës saktësisht Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike kanë realizuar aksione për “luftimin e fajdes”.
Aksioni erdhi pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim.

Kësisoj në aksionin e fundit javën e kaluar të realizuar në Gjilan janë arrestuar dy persona të dyshimtë, të cilët dyshohet se kanë dëmtuar financiarisht viktimën në vlerë 600 mijë euro.

E në kërkim nga ky rast ishte edhe i dyshuari tjetër, Albert Rexhepi (Malisheva).

Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për lajmi.net se nën pranga tashmë ka rënë edhe i arratisuri,Albert Malisheva.

“Policia e Kosoves, konkretisht, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ne bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 21.06.2024 ka filluar  realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale Fajde dhe Detyrim.Gjate datës 21.06.2024 janë arrestuar dhe janë dërguar ne mbajtje dy persona te dyshuar, ndërsa i dyshuari i tretë, nuk është gjetur ne shtëpinë e tij. Me date 24.06.2024, i njëjti (i dyshuari i trete) është identifikuar dhe pas intervistimit me vendim te Prokurorit është ndaluar për 48 ore per procedura te metejme ligjore”,u tha nga Policia e Kosovës.

Duhet përkujtuar që Albert Malisheva është i njohur në qytetin e Gjilanit për luksin e jetesës.

I njëjti ishte lajmëruar gjatë qëndrimit në arrati dhe kishte deklaruar se nuk është i arratisur.

Madje ai tha se është në pushime dhe se kur të kthehet do të lajmërohet tek organet kompetente, gjë që nuk ka ndodhur.

Lexo edhe:  Kosovarët që shkojnë në haxh duhet të marrin leje, në të kundërtën do të gjobiten 2500 euro

Gjatë operacionit policor të realizuar më 21 qershor, nën pranga të Policisë së Kosovës kanë përfunduar Mefail Shkodra dhe Edonis Shkodra derisa në kërkim ishte edhe Albert Malisheva.

Të dyshuarit në këtë rast theksohet të kenë ushtruar presion dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj viktimës, me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.