Java nisë me diell, ndërsa nga mesjava ulje e temperaturave

Vendi ynë është përfshirë tashmë nga masat e nxehta me origjinë nga Afrika Veriore, e bashkë me to edhe pluhuri Saharian, i cili parashihet të jetë pranishëm deri të premten. Në zonat me të reshura, në kombinim me pluhurin Saharian, do të jenë të përziera me baltë.

Pra, moti i nxehtë do të vazhdojë edhe në ditët e para të kësaj jave, përpara se të vjen ndryshimi në ditët vijuese.

Nën këto kushte, gjatë ditës së sotme dhe të martën, moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, e në ndonjë rajon mund të ketë edhe ndonjë reshje të izoluar shiu.

Edhe dita e mërkurë parashihet me mot të ngjashëm, përderisa reshjet pritet të jenë të përqëndruara kryesisht në veri të vendit, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

Nga dita e enjte do të fillojë gradualisht ndryshimi i motit, ku priten vranësira më të shpeshta dhe rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Kjo si pasojë e shtrirjes graduale të masave më të ftohta që vijnë nga veriperëndimi i kontinentit.

Të premten, masat më të ftohta do të shtrihen përfundimisht mbi vendin tonë, ku priten vranësira të shpeshta e rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh. Njëkohësisht edhe temperaturat do të pësojnë ulje, rreth 10 gradë Celsius. Pluhuri Saharian do të largohet.

Në fundjavë pritet sërish ngritje graduale e temperaturave, ndërsa moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, e me reshje të pakta lokale, më të intensifikuara të shtunën.

Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i perëndimit dhe jugperëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-65 km/h. Nga dita e premte do të ndryshojë kahjen nga drejtimi i veriut.

Lexo edhe:  Austria rikthehet në lojë, ngushton rezultatin kundër Turqisë

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 10 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 20 deri në 33°C. Vlerat më të larta parashihen në fillim të javës, ndërsa më të ulëta të premten.