Përhapja e lojës së rrezikshme për fëmijët në TikTok, bëhet thirrje për vëmendje të shtuar të prindërve
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, ka ndjekur me shumë shqetësim informatat e publikuara në media mbi përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Sfidë apo e vërtetë”, e cila nxit sjelljet vetë dëmtuese të fëmijëve.
Deri tani, sipas publikimeve në dy shkolla 9-vjeçare të komunës së Fushë Kosovës dhe Lipjanit, janë identifikuar rreth 20 nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë lojë duke dëmtuar krahët e tyre me mjete të mprehta.
“Megjithatë, ekziston mundësia që ky numër të jetë më i madh apo që ai të rritet në ditët në vijim, duke qenë se loja qarkullon online dhe është e qasshme në telefona, pajisje të cilën shumë fëmijë e posedojnë apo me të cilën ata kalojnë një kohë të gjatë. I drejtohemi të gjithë fëmijëve, kjo nuk është një “lojë”. Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të ketë pasoja që zgjasin në shëndetin tuaj. Përfshihuni në lojra që ju ndihmojnë të rriteni të fortë e të shëndetshëm dhe qëndroni larg këtyre mashtrimeve”, thuhet në reagim.
KOMF i bën thirrje të gjithë fëmijëve që të raportojnë tek prindi apo mësuesi, nëse kanë informacion se shokët apo shoqet e tyre janë të përfshirë në këtë lojë. Vetëm kështu mund të ndihmoni vërtet shokët tuaj!
KOMF i bën thirrje të gjithë prindërve të monitorojnë fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe të flasin më fëmijët për këtë “lojë”, rreziqet dhe dëmet që ajo sjell.
KOMF i bën thirrje prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve të mandatuara, të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë.
“Po ashtu, kërkojmë të sigurohet komunikim dhe koordinim intensiv dhe i vazhdueshem mes palëve të sipërpërmendura, në mënyrë që çdo rast i ri të referohet në kohë për të marrë shërbimet dhe ndihmën e nevojshme”, thuhet në reagim.
KOMF po ashtu u bënë thirrje institucioneve që të zbatojnë me përpikmëri udhëzimin administrativ (QRK) Nr. 04/2022 për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës, i cili derivon nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës.