Turma besimtarësh sillen rreth Qabes së Shenjtë të Mekës, me afrimin e haxhit mysliman
Turma të gjera myslimanësh të veshur me të bardha, luteshin sot dhe kryenin ritualin e “tavaf-it”, ecjes rrotull Qabes së Xhamisë së Madhe të Mekës.
Haxhi që nis më 14 qershor është një nga pesë detyrimet kryesore të fesë islame, dhe sipas mësimeve duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga myslimanët që kanë mundësi financiare e fizike ta bëjnë.
Megjithëse temperaturat janë rreth 40 gradë në Arabinë Saudite, edhe vitin e kaluar mijëra besimtarë nuk ngurruan të kryenin ritualin e Zotit të tyre megjithëse autoritetet raportonin për shumë raste të ‘stresit nga i nxehti’.
“Temperaturat e pritura për Haxhin e këtij viti janë sërish të larta, një ose dy gradë më lart se normalja e qyteteve Meka e Medina,” tha kreu i qendrës kombëtare të meteorologjisë Ayman Ghulam në një konferencë shtypi, sipas rrjetit AFP.
Vizita e myslimanëve në Mekë përfshin rituale që kryhen gjatë mesatarisht katër ditëve në Mekë dhe rrethinat e saj.
Vitin e kaluar më shumë se 2 milionë myslimanë të huaj morën pjesë në Haxh, sipas shifrave zyrtare.
Haxhi është një nxitje e konsiderueshme financiare e turistike për Arabinë Saudite dhe një mjet legjitimizimi për monarkun e vendit, titulli i të cilit përfshin gjithashtu përcaktimin “Kujdestar i dy xhamive të shenjta”, duke iu referuar Mekës e Medinës”.