E rëndë: Vjehrra i tha ta largojë nga shtëpia, burri në Fushë Kosovë rrah dhe dëbon gruan shtatzënë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme nga bashkëshortët e tyre. E shpesh herë konfliktit mes çiftit i vejnë zjarr edhe anëtarët tjerë të familjes, të cilët ndërhyjnë në jetën bashkëshortore të tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku një grua dyshohet se është rrahur e më pas është dëbuar nga shtëpia ku po jetonte me bashkëshortin e saj dhe familjen e tij.

Sinjali mëson se dhunës i parapriu një debat verbal i 20-vjeçares me vjehrrën e saj, e cila me të ardhur djali i vet në shtëpi, ka kërkuar që nusen ta largojë nga aty.

I dyshuari i është bindur nënës së tij dhe si pasojë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes me të cilën ka një fëmijë 5-vjeçar dhe e njëjta është sërish shtatzënë. Pos dhunës fizike që ia shkaktoi, burri recidivist i dhunës në familje, e ka përzënë gruan edhe nga shtëpia.

Përballë kësaj situate, e reja ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Burri i viktimës ka deklaruar para hetuesve policorë se ai dhe gruaja e tij kanë vendosur që të ndahen si shkak i mosmarrëveshjeve të shumta, mirëpo ka mohuar ta ketë sulmuar fizikisht atë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit të nisin hetimet nën dyshimet për për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Mediat serbe: ROSU me autoblinda në Gazivode, ka rrëzuar flamujt e Serbisë

Ndërsa viktima është pajisur me urdhërmbrojtës dhe është larguar të jetojë me familjen e saj./Gazeta Sinjali