Konflikt familjar në Vitomiricë të Pejës: Babë e bir rrahen mes vete, përfundojnë në Polici
Rastet e dhunës në familjet kosovarë veç po rriten dhe viktimat kryesisht janë gratë. Por, jo rrallëherë ndodhë që edhe fëmijët të kapen me prindërit e tyre dhe për pasojë përfundojnë në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të enjten në një familje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku janë përleshur fizikisht dy persona.
Siç merr vesh Sinjali, të dyshuarit janë babë e bir, të cilët janë rrahur me njëri – tjetrin pas një konflikti verbal që eskaloi në dhunë fizike.
Bazuar në informacionet e para, gjatë përleshjes është përdorur një dru nga dy palët, duke pësuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Ndaj tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Dhuna në familje” dhe djali i dyshuar është dërguar në mbajtje.