Incidenti në kishën e Zllakuqanit ku mbeti i plagosur një polic, reagon Sveçla

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, u tentua të kryhej vjedhje në kishën e Zllakuqanit në Klinë.

Madje, Indeksonline raportoi se pati edhe shkëmbim të shtënat me armë zjarri, ku si pasojë e tyre u plagos një polic.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka përgezuar përgjigjen e shpejtë të policisë në këtë rast, duke thënë se polici i plagosur, Januz Veselaj, ka marrë tretmanin e nevojshëm dhe është liruar për në shtëpi.

Ky është reagimi i plotë i Sveçlës:

Gjatë reagimit në një tentim vjedhje në Kishën e Zllakuqanit në mëngjesin e sotëm, gjatë shkëmbimit të zjarrit me personat e dyshimtë është plagosur pjesëtari i Policisë së Kosovës Januz Veselaj. Përgëzoj zyrtarët policor për përgjigjen e shpejtë në rast pas marrjes së informatës dhe zyrtarin Januz Veselaj për reagimin profesional përkundër rrezikimit të jetës së tij.

Nga Drejtori i Policisë jam njoftuar se zyrtari Veselaj pas tretmanit të nevojshëm në QKUK është liruar për në shtëpi. I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë.

Kërkoj nga njësitet përkatëse zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë. Kushdo që në çfarëdo forme tenton të cënojë jetën apo pronën e qytetarëve tanë dhe shtetit tonë do të ballafaqohet me forcën e ligjit.

Lexo edhe:  Ndahet nga jeta ish-ushtari i UÇK-së, sot i jepet lamtumira e fundit