Djali në Rahovec i del në mbrojtje nënës: E denoncon babanë për dhunën e ushtruar ndaj saj
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur mbrëmë në një familje në Rahovec, ku një grua u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Sinjali mëson se këtë herë rasti është zbuluar pasi djali i çiftit vendosi ta raportojë babanë e tij për dhunën që kishte ushtruar ndaj nënës së tij, teksa ishte i dehur.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku intervenoi Policia.
Si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor nën dyshimin për veprën penale “Dhunë në familje”.