Inspektorati rekomandon suspendimin e drejtorit policor që dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes

Inspektorati Policor i Kosovës  i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni policor respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me veprimet hetimore.

IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe Mbrojtësin e Viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për Urdhër Mbrojtës në gjykatën kompetente.

Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Lexo edhe:  Arrestohet zyrtari policor në Suharekë, goditi me veturë një fëmijë 14-vjeçar afër vendkalimit për këmbësorë