Djali e rrah brutalisht babanë në Ferizaj: E sulmon me kubëz betoni, tenton ta godas edhe me veturë

Konfliktet në familjet kosovare janë të shpeshta dhe ka raste kur eskalojnë në dhunë psikike e fizike, por edhe në kanosje serioze. Për pasojë, Policia jo rrallëherë detyrohet të ndërhyjë në situata të tilla, siç ka ndodhur mbrëmë në Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se këtë herë në rast janë përfshirë babë e bir, që u kapën pas një konflikti verbal që kanë pasur lidhur me punën e që përfundoi me rrahje brutale.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht djali po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht babanë teksa ndodheshin në një lokal, e më pas dhuna ka vazhduar edhe më tutje.

Sipas informacioneve të para, djali po dyshohet se ka tentuar për ta goditur babanë me veturë, por pasi s’ia arriti, i ka shkuar nga mbrapa dhe e ka sulmuar me një kubëz betoni.

Për pasojë, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia e ka arrestuar personin e dyshuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe djali i dyshuar të dërgohet në mbajtje.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje me viktimën mashkull kosovar i njëjti e kishte sulmuar fizikisht viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e lëndimeve viktima ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.”

Lexo edhe:  Mitrovicasi tenton të nxjerr hakun e djalit që e dënoi Policia në trafik, shan dhe kërcënon zyrtarin policor