Kompania “Apetit Group” është e kontraktuar nga shteti për të furnizuar QKUK-në dhe të gjitha spitalet e Kosovës me mish

Që nga viti 2022 kompania “Apetit Group” dhe kompania tjetër me të njëjtit pronarë “Riki” janë të kontraktuar nga shteti i Kosovës që të furnizojnë të gjitha spitalet dhe institucionet e tjera të shëndetit në Kosovë me mish pule dhe mish gjethi.

Gjithashtu, të njëjtat janë të kontraktuara për të furnizuar të gjitha spitalet e Kosovës dhe institucionet tjera të shëndetësore me produkte të tjera të mishit.

“Apetit Group”, kompania që u zu duke importuar mish të Brazilit dhe më pas të njëjtin duke e eksportuar për mish të freskët të Kosovës, ka kontrata të shumta me institucionet e Kosovës për furnizim me mish.

E njëjta kompani dhe kompania tjetër me pronarë të njëjtë “Riki” furnizon me mish pule, mish gjethi dhe produkte të tjera të mishit Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalet Regjionale në Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Vushtrrie e Gjakovë.


Kontrata e kompanisë “Apetit” me spitalet rajonale dhe QKUK-në të publikuara në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
Gjithashtu, këto kompani kanë kontrata për të furnizuar me mish Shërbimin e Shëndetit Mendor në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë e Shtime.

Tenderin të ndarë në 2 lote, për vitin 2022 për furnizim të të gjitha këtyre institucioneve e kishte fituar “Apetit Group”.

Sipas dokumenteve që janë publike në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, loti i parë i tenderit ishte “Furnizimi me mish gjethi dhe produkte të tjera të mishit të gjethit”, kurse loti i dytë i tenderit ishte “furnizim me mish pule dhe produkte të mishit të pulës”.

Për lotin e parë vlera ishte 1 milionë e 291 mijë e 725 euro, kurse për lotin e dytë, apo pjesën e dytë të tenderit, për furnizim me mish pule, bëhet fjalë për 480 mijë e 400 euro.

Lexo edhe:  Zbardhet vrasja në Shkodër: Një person e vrau kushëririn sepse ia kërkoi lekët e qirasë

Kjo vetëm për vitin 2022.

Sërish pronarët e njëjtë fituan tenderët e njëjtë edhe në vitin 2023.

Kontrata me kompaninë “Riki” u nënshkruan në dhjetor.

Sipas dokumenteve publike nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, loti 1 për vitin 2023, apo furnizimi me mish gjethi ishte kontraktuar për 1 milion e 302 mijë e 750 euro.

Kurse pjesa e dytë, e furnizimit me mish pule është 368 mijë e 300 euro.

Sipas të njëjtave kontrata, tregohet se këto kompani të këtyre pronarëve furnizojnë me mish gjethi dhe pule edhe shumë komuna të Kosovës dhe institucione të tjera po ashtu.

Vetëm këto dy lote kapin shifrën e rreth 3.5 milionë eurove që shteti i ka dhënë kontrata kompanisë “Apetit”, apo kompanive të tjera që kanë pronarët e njëjtë, vëllezërit Ferizi.

Kur me 1 prill, në një emision në Shqipëri me emrin “Stop” u kuptua se kompania “Apetit” e merr mishin e Brazilit dhe e shet për “mish të freskët të Kosovës”, të nesërmen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës u tha se janë marrë disa vendime për të ndaluar eksportin e kësaj kompanie.

Gjithashtu, ministri i Bujqësisë, meqë Agjencia nga e cila u falsifikuan dokumentet është nën këtë ministri, Faton Peci, doli me reagim duke kumtuar se kësaj kompanie i janë ndaluar edhe importet.

Por, Albanian Post që nga data 2 prill ka kërkuar qasje në dokumentin e protokolluar që dëshmon vendimet e marra, megjithatë këto dokumente nuk janë ofruar ende.

Nuk është ofruar po ashtu as dokumenti për vendimin e komisionit disiplinor që do të duhej ta trajtonte rastin e inspektorit që lëshojë kundërligjshëm ceritifkatë për këtë kompani.

Po ashtu, Agjencia nuk ka ofruar as dokumentin që dëshmon për Raportin analitik të eksportit ku shënohet vlerësimi i cilësisë, dokument që duhet ta ketë secili produkt që eksportohet nga Kosova.

Lexo edhe:  Për Natën e Madhe, një donator anonim ndihmon 50 familje në Mitrovicë

Pa këtë dokument, dogana e Kosovës nuk do të duhej të lejonte asnjë produkt të dal nga Kosova për qëllime të shitjes në tregun e huaj.

Albanian Post ka bërë kërkesë për qasje nga këto dokumente, por asnjë prej tyre nuk janë ofruar deri në publikimin e këtij teksti.

Skandali me “Apetit Group” shpërfaqi një sistem të tërë të korruptuar në Ministrinë e Bujqësisë ku një kompani, përmes lidhjeve me shtetin, arrin të falsifikojë disa hallka kontrolli dhe përfundimisht ta shes si mish të freskët të Kosovës, mishin e Brazilit, për të cilin nuk i dihet data.