Dhunë në një familje në Kllokot: Djali i hyn dru babait të tij, 53-vjeçari përfundon në spital

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një konflikt familjar ka ndodhur mbrëmë në fshatin Gërnçar të Kllokotit, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Sinjali mëson se 53-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pas një konflikti verbal me të birin, ky i fundit ka eskaluar në sulm fizik ndaj tij, ku e ka goditur me një shkop druri në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e dhunës, viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë, Policia ka arritur që ta arrestojë 27-vjeçarin, i cili gjatë intervistimit nga hetuesit policorë ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Gruaja që vdiq me të bijën në aksidentin në Dragash la pas vetes edhe dy fëmijë