Qeveria i mbulon me 2 milionë euro protezat e invalidëve të luftës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e qeverisë të mbajtur në mënyrë elektronike, është aprovuar kërkesa e kësaj ministrie për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes, apo vendosjes së protezave jashtë Institucioneve Shëndetësore publike.

Ai u shpreh i lumtur që ky proces më në fund po kthehet në binar, dhe bëri të ditur se është ndarë një shumë rreth dy milionë euro në total për tre vitet e ardhshme.

“Sot në mbledhjen elektronike të qeverisë janë marr tre vendime të rëndësishme, dhe ai më i rëndësishmi është për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë Institucioneve Shëndetësore publike kur këto të fundit nuk afrojnë shërbime. Jam i lumtur që ky proces më në fund po kthehet në binar. Ministria e Shëndetësisë vitin e kaluar tashmë ka aprovuar një plan të veprimit për ngritjen e qoftë të kapaciteteve infrastrukturore, qoftë resurse njerëzore në Institucione Shëndetësore Publike për t’u ofruar ky shërbim në të ardhmen”.

“Është ndarë një shumë rreth dy milionë euro në total për tre vitet e ardhshme dhe natyrisht është hapi i parë që po e bëjmë. Puna për funksionalizimin e këtij shërbimi në Institucione Shëndetësore Publike po vazhdon dhe do të vazhdojë deri në kompletimin e plotë të këtyre shërbimeve në mënyrë që kjo kategori që ka dhënë për lirinë dhe këtë vend të kenë mundësi që në të ardhmen t’i marr këto shërbime brenda Institucioneve Shëndetësore Publike”, u shpreh Vitia.

Lexo edhe:  Policia zbarkon në Sach Pizza në Prishtinë, arreston punëtorin që u kap me armë zjarri