Nuk ka boll për vete, por FSK-ja i dhuron mjete ushtarake Ukrainës
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Kosova do t’i dërgojë Ukrainës mjete ushtarake.
Këto komente, ai i bëri në takimin e sotëm, të 20-tin me radhë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Ramstein të Gjermanisë.
“…Të pranishmit i njoftova për paketën e parë të mbështetjes ushtarake që do të dërgohet në Ukrainë gjatë javës së ardhshme e që përbëhet nga dhjetëra kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake”, ka thënë Maqedonci në këtë takim.
Veç tjerash, ai tha se i ka njoftuar të pranishmit edhe për koordinimin dhe përgatitjen e pakos së dytë mbështetëse ushtarake “që përbëhet nga mijëra predha të mortajave që do të dërgohet së shpejti në Ukrainë me qëllim mbështetjen e njësive ushtarake të Ukrainës për rritjen e fuqisë së zjarrit indirekt”.
Ministri i Mbrojtjes tha se Kosova qëndron e palëkundur në mbështetjen e luftës së drejtë të popullit të Ukrainës “dhe do të mbështesë atë deri në fitoren përfundimtare”.
Ministrat dhe përfaqësuesit e mbi 50 vendeve të Grupit të Kontaktit, ai tha t’i ketë informuar për mbështetjen e FSK-së për trajnimin e trupave ukrainase në kuadër të Operacionit Interflex në Britani si dhe trajnimin për deminim për trupat ukrainase, trajnim ky që është duke u realizuar në bashkëpunim me EUCOM, në Kosovë.
Shenim: Fotografia eshte ilustrim