Kreu vjedhje në disa lokacione – ky është 20-vjeçari që ra në prangat e Policisë
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve janë recidivistë të vjedhjeve.
Një ndër ta ka rënë në prangat e Policisë gjatë ditës së djeshme dhe dyshohet për disa raste të vjedhjeve në kryeqytet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 20-vjeçarin Leon Vitia, i cili ishte arrestuar edhe para disa muajsh.
Vitia po dyshohet për tri raste te vjedhjeve që kanë ndodhur brenda 3 muajve, në dy hotele në Prishtinë dhe në një parking – ku në të tri rastet ka arritur të vjedhë para të gatshme.
Të shtunën i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.