Drejtori i Institutit Pedagogjik: Në orën e historisë më shumë flasin për fenë se për lëndën mësimore

Drejtori i Institutit Pedagogjik, Ismet Potera, ka shprehur shqetësimin e tij rreth mbikëqyrjes së mësimdhënësve në ligjëratat e tyre, duke thënë se në disa shkolla, në orët e historisë ligjërohet për fenë islame. “Një numër i madh i mësimdhënësve në lëndën e historisë apo edhe të tjera, më shumë flasin për fenë se sa për lëndën mësimore, ka sa të duash fakte, shko në ora 12 edhe e shikoni vet. Ose në kohën e iftarit shkoni kah shkolla “Sami Frasheri”, shiheni a ka mësimdhënës apo nxënës në shkollë. Jo, mësimi përfundon pas orës 18:00, dhe në kohën e ramazanit përfundon në 5:30” – tha tutje Potera në emisionin “KallxoPernime”, në të cilin u diskutua për “Dezinformimin në shkolla”.

Për sa i përket kësaj, ka folur edhe Lindita Tahiri, profesoreshë universitare e komunikimit masiv dhe analizës së diskursit.

Ajo tha se edhe në Universitetin e Prishtinës ka raste kur në ora 12:00 (kohën e namazit të drekës, xhumasë), nuk gjendet askush në mësim.

“Dhuna ndaj gruas është shtuar dukshëm kohëve të fundit, por ne duhet ta analizojmë pse, mund të jetë kriza shoqërore, krizë arsimore por mund të jetë edhe fanatizëm fetar, dmth duhet folur për këtë. Madje edhe në UP ka raste nganjëherë që në 12 nuk ka mësim, edhe ministria s’duhet ti mbyll sytë edhe të mos e deklaroj publikisht se ne po harrojmë që shkolla jonë është laike, i ka disa vija të kuqe që s’mund ti tejkalojmë” – tha Tahiri.

Drejtori i Institutit Pedagogjik, Ismet Potera, ka thënë se mungon komunikimi shkollë-familje.

“Është shumë i mangët ky komunikim, ky kominikim nuk duhet të bëhet për Tik Toka e për rrjetet sociale, por për çfarë note mori, si ishte në këtë lëndë e çfarë duhet bërë për ta përmirësuar notën. Por funksioni pedagogjik i shkollës është që edhe të ndikoj edhe te prindi, të organizoj takime me ta në mënyrë profesionale, të bisedojnë mësimdhënësit me prindër sepse jo të gjithë prindërit e kanë dijen apo aftësinë se si ti qasen një fëmiu adoleshent, për shkak të mungesës së komunikimit prindër-fëmijë, na lindin edhe ato fshehjet e fëmijëve” – tha Potera.

Lexo edhe:  “Më janë këputur këmbët” – nëna tregon se si djali i saj 20-vjeçar e ndjeu që do të vdiste